Barazimi 3-3 që Bayern Mynih arriti në fushën e tij ndaj Fortuna Dusseledorf është konsideruar si një turp nga trajneri Niko Kovac, që ka kritikuar ashpër lojtarët e tij për paraqitjen në fushë.
Kampionët e Gjermanisë nuk arritën të mbrojnë një avantazh prej dy golash, duke lejuar kundërshtarët të barazojnë shifrat në minutën e fundit dhe të largohen nga “Allianz Arena” me një pikë.
Barazim që rikthen “retë e zeza” mbi Kovac, i vënë disa herë në dyshim këtë sezon. “Nuk mund ta imagjinoni se si ndihem brenda meje. E kishim ndeshjen nën kontroll, më pas shkatërruam gjithçka. Jam gjithçka, por vetëm i lumtur nuk jam. Jam shumë i inatosur.
Nuk mund ta imagjinoj këtë rezultat dhe nuk e meritojmë aspak atë pozicion në renditje”, tha Kovac, që pret në fushën e tij Benfica, në ndeshjen e radhës në Champions League.
“Nuk dimë të mbrojmë, duke lejuar kundërshtarin të realizojë 3 gola në portën tonë, në fushën tonë. Nuk ka rëndësi nëse luan në Champions apo ndaj një rivali modest.
Këto gabime do të ndëshkohen. Këto gjëra nuk duhet t’i ndodhin një ekipi si Bayern”, tha Kovac, që sheh skuadrën e tij të zbresë në vendin e pestë në Bundesliga, 9 pikë pas Borussia Dortmund./telesport/