Tek Vllaznia në basketboll për meshkuj duket se po lëviz diçka për mirë së fundmi. Gjashtë humbje rradhazi në kampionat, duke u renditur e fundit në tabelën e klasifikimit, u shndërruan në një shqetësim të madh për të ardhmen e kësaj skuadre, e cila rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.

Megjithatë, siç është bërë me dije edhe më herët, ditët e fundit ka pasur një reagim pozitiv, ku tashmë pritet zyrtarizimi i rikthimi i presidentit të mëparshëm, Sokol Dibra. Në fakt, me ardhjen e tij duket se ka lëvizur diçka për mirë dhe tashmë së fundmi, u zyrtarizuan edhe dy basketbollistët amerikanë, Njike dhe Smith.

Dyshja amerikane është vendosur menjëherë në dispozicion të trajnerit Damian Bekteshi dhe do të jenë gati për sfidën e javës së shtatë të kampionatit ndaj Besëlidhjes. Kjo ndeshje do të luhet këtë të shtunë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke filluar nga ora 18:00.

Ndërkohë, nisur edhe nga fillimi i ndryshimit të situatës te skuadra, kanë lëvizur edhe tifozët shkodranët. Grupimi “Vllaznit Ultras” ka lajmëruar se pasditen e së shtunës do të jetë i pranishëm në pallatin e sportit për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës në kërkim të fitores së parë në kampionat.
Maringlen ZHIVAN