FSHF ka startuar kursin e ri për drejtor sportiv nën udhëheqjen e specialistëve të saj. Ky kurs do të zgjasë përreth një muaj dhe do të përmbyllet me datën 7 tetor, teksa pjesëmarrësit do të marrin njohuri në të gjitha fushat që duhet të mbulojë ky rol në një klub futbolli.

Disa nga pjesëmarrësit janë edhe emra të njohur si për Vllazninë, por edhe për Shkodrën. Më konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin teknik të kuqebluve, Auron Miloti, për videoanalistin e klubit, Xhoen Tugu, por edhe për trajnerin e Kombëtares së femrave, Armir Grima.

Në ditën e parë është diskutuar për procesin e licencimit të futbollistit e më pas do të vijohet me teknikat e bilancit administrativ, organizimi i stadiumeve, licencimi i klubeve, administrimi i burimeve njerëzore, principet e komunikimit, marketingu dhe e drejta TV, rregullorja e lojës dhe kolegjiumet e arbitrave, analizat e një ndeshjeje futbolli, organizimi i sektorit të të rinjve, etj.

Deri në përmbyllje të këtij kursi, do të diskutohen edhe tema të tjera sa i takon rolit të drejtorit sportiv në një klub futbolli me anë të teknikave dhe programeve të ndryshme.
Maringlen ZHIVANI