Eekziston edhe mundësia që Xhanluixhi Donaruma të rinovojë me Milanin, me 10 milionë euro në sezon, duke parë edhe mundësinë e një sezoni si protagonist në Ligën e Kampioneve, pasi kuqezinjtë e Piolit duken shumë afër këtij objektivi.

Diferenca prej 2 milionë eurosh mes kërkesës dhe ofertës (8 mln euro në vit) mund të sheshohej vetëm me një ndërhyrje të fortë të lojtarit i cili nuk duket se dëshiron të largohet pa i mundësuar klubit një përfitim financiar.

AUDICIONE – Çështja “Donaruma” vijon të mbajë peng merkaton e Milanit në lidhje me portën. Golini dhe Muso kanë qenë disa alternativa për të plotësuar një largim të mundshëm të numrit 99, por interes për drejtuesit ka ngjallur edhe Marten Vandeford i Genkut që sivjet ka luajtur 17 herë në ekipin e parë madje edhe ka debutuar në Champions që në sezonin e kaluar (kundër Napolit).

Nuk do të ishte çudi që “Djalli” t’i besojë përsëri një adoleshenti siç bënte vite më parë me Donarumën, por këtë herë do t’i duhej të investonte të paktën 10 milionë euro. Xhixho nuk e ka fshehur kurrë vullnetin për të qëndruar kuqezi, por nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, palët janë të destinuara për t’u ndarë në fund të sezonit aktual.

Këtë hipotezë e ka marrë parasysh edhe bordi drejtues që duket se ka nisur të shqyrtojë emrat e mundshëm për pasardhësit e 22- vjeçarit. Në majën e listës së dëshirave qëndron Majk Menja. Portierit i skadon kontrata pas një viti, por Lila nuk bën ulje dhe pret të arkëtojë 18-20 milionë euro për ta lënë të lirë në verë.