Skuadra e Elbasanit ndodhet në ditë të vështira. Nëse dikur ishim mësuar ta shihnim në elitën e futbollit shqiptar duke konkuruar për një vend në Europë apo për titull kampion, verdheblutë rrezikojnë shpërbërjen.
Kjo nuk vjen prej situatës së krijuar nga Coronavirusi, por është një problem menaxherial i akumuluar që vitet e fundit ka dhënë frytet e veta.
E pikërisht për të ndezur sadopak “shkëndijën”, për të rikthyer Elbasanin e dikurshëm ka menduar Andi Matraxhiu. Menaxheri i njohur i futbollit shqiptar, dikur gazetar sportiv ka marrë një nismë.
Çdo mbrëmje ai bisedon me “ishë” të këtij ekipi me histori në futbollin tonë duke kujtuar kohët e arta, por dhe duke dhënë ide apo mendime se si mund të ringrihet ajo skuadër.
Një nismë e veçantë që vjen nga Matraxhiu pikërisht për ekipin e vendlindjes së tij, ndërsa në rrjetet sociale ai e shqipton qartë: “Dua të përkrah si gjithmonë KF Elbasanin në këtë moment të vështirë.
Ne jemi një “shkëndijë” e vogël, por që nesër të gjithë së bashku mund të jemi një vullkan i madh. Të mbrosh vendlindjen, skuadrën e zemrës, është kulturë”, shkruan ai./newsport/