Një ekip nga qyteti i Shkodrës thuhet të jetë rregjistruar sëfundi në Federatën Shqiptare të Futbollit për të marrë pjesë në kampionatin e kategorisë së tretë. Njoftimin e ka dhënë vetë ky institucion teksa ai ka bërë të ditur se përveç ekipit shkodran janë rregjistruar edhe gjashtë ekipe të tjera. Por ajo që nuk mësohet është emri i ekipit shkodran. Ka një dilemë nëse do të jetë Vllaznia B apo Shkodra. Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, në mbledhjen e tij të fundit të korrikut ka miratuar ngritjen e një ekipi të dytë të Vllaznisë i cili do të rregjistrohej në kategorinë e tretë fillimisht, me idenë e mëvonshme për t’u ngjitur në kategori më të larta në vitet e ardhshme. Ideja ka ardhur nga fakti që shumë djem të rinj shkodranë, pasi mbushin moshën 19 vjeç, në pamundësi për të luajtur tek ekipi i parë i Vllaznisë, detyrohen ose të lënë sportin ose të largohen në skuadra të tjera.Ky është një lajm i mirë por për momentin duhet parë si do funksionojnë gjërat dhe cilët lojtarë do jenë në përbërje të këtij ekipi. Ende nuk ka një datë për nisjen e kampionatit të kategorisë së tretë por sigurisht që përgatitjet kanë nisur për ndërtimin e këtij ekipi në Shkodër ndonëse ende nuk bëhet e ditur se kush do të jetë trajneri dhe lojtarët që do ta përbëjnë atë. E rëndësishme është që kjo ide tashmë ka marrë udhë.
www.shkodrasport.com