Shkruar nga Endri ÇINARI
Skuadra e Vllaznisë po përgatitet të zbresë në fushë këtë mesjavë për javën e 19-të të Superiores, në një duel shumë të rëndësishëm ndaj Egnatias. Kjo përballje hap fazën e tretë të kampionatit dhe njëkohësisht është ndeshja e parë e Superiores për vitin 2026, duke i dhënë edhe më shumë peshë sfidës.
Për kuqeblutë e Shkodrës, takimi ndaj rrogozhinasve është vendimtar, pasi objektivi mbetet rikthimi në garë për vendin e parë. Stafi teknik pritet të bëjë ndryshime të ndjeshme në formacion, krahasuar me ndeshjen e Kupës ndaj Pogradecit, duke hedhur në fushë një 11-she më konkurruese.
Në portë, pritet rikthimi i titullarit Pohls, i cili do të marrë vendin e Jukajt. Në repartin e mbrojtjes, trajneri duket se do t’u besojë “të zakonshmëve”, me Gurishtën, Gjinin dhe Bajramin që pritet të jenë nga minuta e parë, megjithatë nuk përjashtohet as ndonjë surprizë, me Çelikovic që mund t’a nisë si titullar.
Mesfusha shihet si një nga pikat më të forta të Vllaznisë për këtë ndeshje. Krymi, Qato dhe Kallaku pritet të formojnë treshen qëndore, një kombinim force dhe klasi që synon të kontrollojë lojën. Nga krahët, në të djathtë pritet të aktivizohet Kastrati, ndërsa në të majtë Jago, për t’i dhënë skuadrës shpejtësi dhe thellësi.
Në repartin ofensiv, Balaj do të jetë pika kryesore e referimit në sulm, me mbështetjen e Malës, i cili ka shumë gjasa ta nisë takimin nga minuta e parë. Me këtë formacion dhe me motivimin për të nisur mbarë vitin e ri, Vllaznia synon të marrë maksimumin ndaj Egnatias dhe të dërgojë një sinjal të fortë në garën për kreun e Superiores.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


