Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë në Lezhë sidomos dy ditët e fundit kanë krijuar jo pak probleme tek ekipi i Besëlidhjes i cili nuk ka mundur dot të stërvitet as në stadium dhe as në aneksin e tij. Kjo gjë ka prishur jo pak punë në përgatitjet për ndeshjen e rradhës me Kamzën e për këtë arsye, ditën e djeshme skuadra është detyruar të stërvitet në Shëngjin. Kjo gjë ka shqetësuar jo pak trajnerin Sinan Bardhi.

Megjithatë, ndaj kushteve atmosferike nuk mund të bësh asgjë, edhe për atë se reshje të tilla shiu ka vite që nuk janë parë në këtë qytet. Fusha e stadiumit “Besëlidhja” ka qenë e gjitha e mbuluar me ujë dhe po ashtu ajo e aneksit. Padyshim që kjo gjë ka krijuar jo pak probleme sepse do t’i dëmtojë të dyja ato, e natyrisht që këto gjëra do ndikojnë edhe në ecurinë e mëtejshme të skuadrës që do të stërvitet dhe të luajë në kushte aspak normale. Drejtuesit e klubit janë parë të shqetësuar ditën e djeshme në lidhje me këto dëme të shkaktuara sepse ato kanë shpenzuar jo pak nga ana financiare për t’i sjellë këto impiante sportive në kushtet e duhura për t’i shërbyer ashtu si duhet skuadrës. Më shumë se kushdo i shqetësuar për këtë situatë ka qenë presidenti i klubit Gjokë Ndoka që për gazetën do të shprehej: “Situata e krijuar na ka prishur jo pak punë por nuk mund të bëjmë luftë me natyrën. Ne do të bëjmë ç’është e mundur për ta rikthyer situatën ashtu siç ka qenë më parë e deri sa të ndodhë kjo, do të gjejmë formën dhe vendin e duhur për t’i ardhur në ndihmë skuadrës që ajo ta zhvillojë procesin stërvitor pa asnjë problem. Besëlidhja nuk do të dekurajohet nga ky problem i ndodhur dhe do të kërkojë patjetër fitoren në ndeshjen e së shtunës me Kamzën për të ruajtur sërish vendin e parë në grup”. Në lidhje me këtë ndeshje ka folur edhe ish- futbollisti i njohur i Besëlidhjes Nikolin Lorenci që pasi vlerëson ecurinë e deritanishme të skuadrës lezhjane, beson se rezultatet pozitive të saj do vazhdojnë. “Gjendja e krijuar nga shirat e shumtë që kanë rënë, kanë prishur jo pak punë por shpresoj që brenda 2-3 ditëve çdo gjë të kthehet në normalitet. Nëse kjo ndeshje nuk do luhet në Lezhë, sërish objektivi i Besëlidhjes mendoj se nuk do të ndryshojë por ajo do kërkojë vetëm fitoren. Madje, jam shumë i bindur se skuadra jonë do t’i dhurojë tifozëve të saj në këtë takim, një fitore me mbi 3 gola. Ky besim i imi nuk do të thotë se ajo duhet të tolerojë dhe të nënvleftësojë kundërshtarët në grupin e saj. Unë e them këtë sepse shoh kontigjentin që Besëlidhja ka në përbërje të saj teksa janë shumë lojtarë më përvojë që po e drejtojnë mirë skuadrën dhe loja e saj nga ndeshja në ndeshje po vjen duke u rritur. Padiskutim meritën kryesore për gjithë këtë çfarë është bërë deri tani, ia dedikoj presidentit Gjokë Ndoka që po e udhëheq Besëlidhjen i sigurtë drejt Superligës dhe jam shumë i bindur se sezonin e ardhshëm vendin e saj do të jetë në mes ekipeve më të mira të vendit”- ka thënë mjeshtri Lorenci që sheh me kënaqësi skuadrën për të cilën ka luajtur madje edhe drejtuar, të jetë në krye të renditjes në grupin e Veriut.
Engjell Gjolaj