Shkruar nga Endri ÇINARI
Pushimi i kampionatit në Kategorinë Superiore këtë fundjavë, për shkak të angazhimit të kombëtares së Shqipërisë, duket se do të shfrytëzohet në mënyrën më efikase nga Vllaznia. Klubi shkodran pritet të “zbresë” disa nga lojtarët e ekipit të parë për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme skuadrës së dytë, në një moment vendimtar të sezonit.
Ndërkohë që elita e futbollit shqiptar ndalon përkohësisht, gara vijon me ritme të plota në Kategorinë e Tretë, aty ku rivaliteti për vendet e para është më i fortë se kurrë. Të shtunën, vëmendja do të përqendrohet te supersfida mes Dinamo B dhe Vllaznia B, një duel që ka marrë tashmë trajtat e një finaleje për ngjitjen në një kategori më lart.
Dy skuadrat ndodhen në luftë të drejtpërdrejtë për kreun dhe çdo pikë në këtë fazë të kampionatit peshon jashtëzakonisht shumë. Për shkodranët, një fitore në këtë përballje do të hapte realisht rrugën drejt një ngjitjeje direkte në Kategoria e Dytë, duke e kthyer këtë takim në një nga më të rëndësishmit e sezonit.
Në këtë kontekst, drejtuesit e klubit kanë menduar të shfrytëzojnë maksimalisht burimet njerëzore që kanë në dispozicion. Ekipi i parë pritet të vihet në shërbim të skuadrës B, e cila drejtohet nga trajneri Brikeno Bizi. Disa futbollistë me eksperiencë nga Superiorja mund të zbresin në fushë për të bërë diferencën në një sfidë kaq delikate.
Nuk do të ishte hera e parë që ndodh diçka e tillë. Në ndeshjet e mëparshme, lojtarë si Tafili, Ara, Kubazi apo Pusi kanë marrë minuta me ekipin e dytë, duke rezultuar shpesh vendimtarë me paraqitjet e tyre. Prania e tyre ka sjellë më shumë siguri dhe cilësi në lojën e Vllaznia B, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet pozitive.
Edhe këtë herë, pritet që lista të zgjerohet me emra të tjerë nga ekipi i parë, duke e bërë Vllaznia B një skuadër edhe më konkurruese përballë një rivali të fortë si Dinamo B. Sfida e së shtunës premton emocione të mëdha dhe mund të rezultojë vendimtare për fatet e sezonit, ndërsa kuqeblutë synojnë të hedhin një hap të madh drejt rikthimit në kategoritë më të larta të futbollit shqiptar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


