Një mbrojtës kuqezi ka tërhequr vëmendjen e Federatës Greke të Futbollit, e cila i ka kërkuar ndihmë edhe një ish-lojtari i cili dikur vendosi t’i thoshte “jo” Shqipërisë për t’iu bashkuar helenëve. Një plan i cili për momentin po dështon, pasi Mario Mitaj, i cili shihet si një nga futbollistët e të ardhmes së Shqipërisë, vazhdon të preferojë ngjyrat kuqezi.
Sipas mediave greke, Shqipëria U21 ka kërkar që Mitaj të jetë i pranishëm në një grumbullim për një ndeshje miqësore që do të organizohet në ditët e ardhshme. Duke u interesuar në klubin e AEK, ku mbrojtësi i majtë është që në moshën 17-vjeçare pjesë e ekipit të parë, është mësuar se drejtori sportiv i klubit, Panajotis Kone, insiston që djaloshi të veprojë si ai dhe t’i bashkohet Greqisë.
Ish-mesfushori, i lindur me emrin Gjergji në Tiranë, vendosi që në moshë të re të ishte pjesë e përfaqësues së Greqisë, duke bërë të qartë asokohe se ishte një zgjedhje që e bënte për karrierën e tij.
Një zgjedhje për të rritur më shumë prestigjin e klubit të tij në arenën kombëtare, por që duket se nuk përkon me planet e familjes Mitaj. Mediat greke bëjnë të ditur se familja e tij ka vendosur që djaloshi të vazhdojë të veshë ngjyrat kuqezi, e për këtë arsye ka pranuar ftesën për t’iu bashkuar Shpresave për grumbullimin e radhës. /vipsport/