Ndeshja e djeshme ndaj Kamzës ka patur dy tabllo brenda saj. “Armiqësinë” e theksuar të tifozëev shkodranë ndaj ish- trajnerit të tyre Ernest Gjoka, por edhe “dashurinë” më të madhe për trajnerin aktual Hasan Lika. Fundi i takimit e ka treguar më së miri këtë gjë.

Kur Gjoka po i drejtohej dhomave të zhveshjes, tifozët e Vllaznisë nuk i kanë kursyer sharjet dhe ofendimet në kor ndaj tij për 3-4 minuta. Por menjëherë sapo ai ka hyrë brenda, ka qenë rradha e ardhjes së futbollistëve shkodranë për t’u përshëndetur me ta dhe në fund të tyre ka qenë trajneri Hasan Lika.

Pikërisht në ato momente, tifozët kanë shpërthyer në thirrjet “Lika, Lika”. Diçka që nuk kishte ndodhur më parë në këto pesë muaj që ai drejton Vllazninë. Duket se trajneri kryeqytetas u ka fituar zemrën atyre.

Dhe jo më kot, edhe vetë Lika këtyre thirrjeve u është përgjigjur duke zënë dorën mbi zemër. Një veprim “dashurie” në mes tyre. Ajo që ka çuar në këtë marëdhënie duket se është mënyra e sjelljes së këtij trajneri.

Që kur ka ardhur në Shkodër, asnjëherë nuk është parë të ankohet, ndonëse mund të ketë kaluar shumë probleme. Ka bërë detyrën e tij dhe po e çon Vllazninë drejt Superligës, duke përmbushur kësisoj misionin që i është ngarkuar.
© shkodrasport.com