E para ndeshje zyrtare për 2019- ën dhe rikthimi i Ernest Gjokës në Shkodër kishte tejmbushur “Reshit Rusin”. Veç spektaklit që pati në fushë, në tribuna nuk munguan kontestimet e ashpra karshi ish-trajnerit. Vllaznia kishte edhe një tifoz special dje në tribunë, i cili nuk kurseu as lotët.

– Ernest Gjoka pritet me ofendime nga tifozët shkodranë. Sapo ka shkelur në fushën e “Reshit Rusit”, ish-trajneri i Vllaznisë në sezonin që ranë nga kategoria, është përballur me një “lum” të sharash. Kujtojmë që ai u largua nga drejtimi i ekipit vetëm dy takime pa u mbyllur sezoni dhe u “vulosur” rënia.

– Dervish Haxhiosmanoviç ndjek nga afër Vllazninë. Ish-trajneri i shkodranëve, fitues i Kupës së Shqipërisë dhe i Superkupës, ka qenë dje i pranishëm në “Reshit Rusi”. Malazezi nuk i ka kursyer as lotët pas pësimit të golit, duke parë atë që po jepte skuadra. Por, në fund ka mbetur tejet i kënaqur nga Vllaznia e tij në këtë takim.

– Lojtarët e Kamzës shkelmojnë dyert e dhomës së zhveshjes. Tensioni i krijuar pas përfundimit të ndeshjes prej të sharave ka sjellë këtë reagim të miqve.

– Hasan Lika pritet me ovacione nga tifozët kuqeblu. Ata kanë thirrur emrin e trajnerit për disa çaste, duke bërë që edhe tekniku të vendosë dorën në zemër për t’i falënderuar.

– Forcat e policisë nuk kanë lëvizur nga fusha “Reshit Rusi” pa u larguar ekipi mik dhe Erenst Gjoka. Ata kanë shoqëruar ekipin dhe stafin teknik të skuadrës derisa janë larguar nga Shkodra.

– Belajd Pusi feston ditëlindjen. Sulmuesi shkodran mbushi 21 vjeç dje dhe “dhuratë” prej ekipit mori pikërisht këtë fitore.