Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht golave të pësuar nga Vllaznia në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit, ishte një element në prapavijën e kuqebluve që spikati me performancën e tij. Fjala është për Gledjan Pusin, i cili e nisi si titullar sfidën ndaj vlonjatëve, pavarësisht se në stol ishte edhe Çelikoviç. Një element që u mendua se do ishte një futbollist i rëndësishëm në mbrojtjen e shkodranëve, por që nuk po rezulton i tillë deri në këtë përfundim të pjesës së parë të edicionit.
Për t’u rikthyer tek Pusi, performanca e tij ishte e një niveli shumë pozitiv në duelin e javës së 18-të, duke u vlerësuar edhe nga specialistët dhe ekspertët e futbollit në Shkodër. Ku madje edhe në pjesën e sulmit, 23-vjeçari ishte mjaft aktiv, duke marrë edhe inkursione personale. E duke qenë një mbështetje edhe për shokët e skuadrës në fazën ofensive.
Besimi i dhënë këtë periudhë nga ana e Martinit duket se po shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga ana e shtatlartit. I cili tashmë po kthehet në një opsion serioz për të qenë një titullar për vazhdimësinë e sezonit në janar. Ku shkodrani ka fituar hierarki në renditjen e mbrojtësve tek skuadra kuqeblu, pavarësisht se në fillim të sezonit konsiderohej thjesht si alternativë.
Ku edhe pse në skuadër ka emra si: Kuros apo Çelikoviç, si titullar preferohet Pusi, që po shfrytëzon momentin e tij. E në javët e fundit është aktivizuar në vijimësi duke treguar shumë prej cilësive që ka e duke qenë një pikë e fortë dhe një konkurentë për një vend titullari në pjesën e dytë të sezonit të Superiores.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


