Skuadrat shqiptare dështuan në mënyrën më spektakolare të mundshme në aventurat e tyre verore në kompeticionet europiane. Asnjë ekip i ligës sonë nuk mundi të shkoi më tepër se raundi i dytë i Conference League, duke qëndruar në vend numëro e madje duke u kaluar edhe nga ekipe të vendeve si Luksemburgu apo edhe Ishujt Faroe.

Gjithçka nisi me Tiranën, ku bardheblutë pasi u eleminuan nga Dudelange në Champions League, të njëjtin fat patën edhe në Conference League kundër Zrinjiski të Bosnjes. Duke u dominuar kështu në të 4 ndeshjet europiane. Po ashtu edhe Partizani u eleminua që në raundin e parë të Conference League kundër ekipit gjeorgjian të Saburtalo.

Laçi si zakonisht kaloi raundin e parë në Conference League kundër Iskras. Por mbrëmë “kapitulloi” kundër ekipit moldav të Petrocub. Vllaznia po ashtu nuk kaloi asnjë raund, pavarësisht se ndodhej automatikisht në turin e dytë të Conference League kundër Univ.Craiova. Ku diferencat me ekipin rumun ishin të qarta, pavarësisht se edhe kuqeblutë mund të bënin diçka më tepër.

Po të shikosh me vëmendje, kundërshtarët e ekipeve shqiptare në Europë nuk janë edhe aq ekipe të pakalueshme. Por nëse edhe vende si Andorra, San Marino, Luksemburgu po bëjnë hapa galopant në zhvillimin e futbollit, një gjëe tillë mungon në vendin tonë.

Një kampionat ku mungojnë projektet afatgjatë, nuk promovohen talentet dhe ku çdo vite humben vende në renditjen e Uefas janë një “këmbanë alarmi”. Jo vetëm për klubet, por edhe për institucionin e FSHF që ndoshta duhet të hedhë sytë qoftë edhe nga rajoni ku ekipet e Kosovës apo edhe Maqedonisë së Veriut janë shumë më të suksesshme se skuadrat shqiptare.

Endri ÇINARI