Tek Vllaznia e femrave “simboli” padyshim që është Megi Doçi. Lojtarja që jo vetëm shpallet golashënuesja më e mirë në Shqipëri prej disa sezonesh, por në dy vitet e fundit është edhe golashënuesja më e mirë në Botë sa i takon numrit të golave të shënuar.

Ajo për të cilën do të shkruajmë sot është një emër tjetër, i cili mund ta zëvendësojë në një të ardhme të afërt këtë futbolliste. Bëhet fjalë për Klaudia Borcin, 14 vjeçaren që ndonëse ka vetëm pak kohë që ka kaluar me ekipin e të rriturave të Vllaznisë, po bën mirë.

Në debutimin e saj me këtë ekip, pikërisht në ndeshjen ndaj Teutës, Klaudia ka shënuar të parin gol me ekipin e të rriturave të Vllaznisë, gol që do ta mbajë mend gjatë dhe pikërisht përkon me datën 6 qershor 2020.

Themi do ta mbajë mend gjatë sepse shumë të tjerë ka për të shënuar në të ardhmen. Në fakt, e bëri këtë gjë edhe në ndeshjen e dytë, atë ndaj AAS të fituar nga Vllaznia 7-1 ku Borci do të shënonte sërish gol.

Ndërkohë, edhe sot kjo futbolliste ka rënë sërish në sy në fitoren e thellë 12-0 ndaj Bilishtit. 10 prej golave të kësaj ndeshje mbajnë firmën e Doçit, ndërsa dy të tjerët të Borcit. Që do të thotë se në 3 ndeshje deri tani, ajo ka shënuar 4 gola!

Një fillim i shkëlqyer për këtë futbolliste të datëlindjes 19 dhjetor 2005. E zbuluar nga trajneri i ekipit “Shpresa” Ardit Mani, Klaudia fillimisht ka luajtur në një ekip me djem dhe më pas, ka kaluar tek Vllaznia ku ka luajtur me moshat fillimisht ndërsa këtë sezon, po luan edhe me ekipin e parë.

Duket se kemi të bëjmë me të njëjtën histori si ajo e Megi Doçit dhe mbase mund të kenë shumë të përbashkëta. Klaudia jo më kot shihet shpesh duke qëndruar me Megin sepse kërkon ta imitojë me çdo gjë. Nëse e bën edhe me golat, do të ishte një mrekulli.
Gjergj KOLA