Vllaznia vijon përgatitjet për takimin ndaj Partizanit, teksa dje shirat e kanë spostuar ekipin në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Tapeti i ri i ka krijuar kushte optimale skuadrës për t’u stërvitur për këtë sfidë. Trajneri Elvis Plori, me përjashtim të brazilianit Viktor da Silva të dëmtuar, e ka të plotë pjesën tjetër të skuadrës.
Në skuadër ka optimizëm se do të arrihet fitorja ndaj të kuqve. Vllaznia ka plot një muaj e gjysmë që nuk fiton dot në kampionat. Janë pikërisht 6 ndeshje radhazi, teksa për herë të fundit kuqeblutë kanë mundur Dinamon me shifrat 2-1. Ky takim është luajtur më 3 mars në stadiumin “Loro Boriçi”.
Trajneri Plori nuk pritet të bëjë ndryshime në formacion, teksa dilema e vetme është Kruja apo Hoxhaj në krahun e djathtë të mesfushës. Në rolin e një fantazisti do të jetë Gjurgjeviç, që bashkë me Latifin do të mbështesë Aralicën në majën e sulmit.