Vllaznia do luajë për javën e 5-të të Superiores ditën e dielë, në orën 17:45. Kundërshtar do jetë Kastrioti dhe ndeshja do zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës. Një duel interesant dhe i vështirë ky kundër krutanëve, ku kuqeblutë me patjetër do kërkojnë rikthimin tek fitoret.
Por në duelin e fundjavës, shkodranët do kenë një mungesë që duket se është e sigurt. Lorik Boshnjaku ende nuk është rikuperuar pas dëmtimit që mori në ndeshjen kundër Egnatias. Dhe nëse ka një mungesë, ka edhe një rikthim siç është Herald Marku. Mëngjërashi ka shlyer dënimin e kartonit të kuq që mori me Tiranën dhe do jetë nën urdhërat e Joses.
Realisht Marku ka qenë një element i rëndësishëm në fitoret e Vllaznisë këtë sezon. Ku realizoi gol në dy ndeshjet e fituara kundër Kukësit dhe Tiranës. Madje duke krijuar një dyshe fituese me Kainen. Në takimin kundër Kukësit, sulmuesi brazilian shërbeu në sekondat e fundit për Markun që dërgoi topin në rrjetë.
Ky binom fitues u shfaq edhe kundër Tiranës. Kaina fitoi penalltinë e shndërruar në gol nga Marku. E ndërsa më pas shënoi edhe vetë për fitoren 1-2 në kryeqytet. Rikthimi i Markut duket një ogur i mirë. Megjithatë duhet pritur nëse ai do jetë apo jo titullar ditën e dielë kundër Kastriotit.
Endri ÇINARI