Merkato tashmë do hyjë në fazën e saj të zjarrtë dhe në një periudhë ku shumë skuadra kanë nisur përgatitjet për kupat e Europës, po mendohet edhe për përforcimin e ekipit për sezonin në vijim. Në një situatë të tillë është edhe Vllaznia. Shkodranët kanë afruar në skuadër, Boshnjakun nga Prishtina. Por nga ana tjetër kanë humbur edhe elementë të rëndësishëm.

Duke filluar që nga emrat si: Da Silva apo Djurdjevic. Apo edhe ai i Ardit Krymit që lë një “gropë” në mesfushën kuqeblu. Por një opsion shumë interesant shfaqet për përforcimin e skuadrës kuqeblu dhe për zëvendësimin ideal të Krymit. Bëhet fjalë për Eslit Salen. Mesfushori që prej 3 sezonesh është aktivizuar në Maltë tek skuadra e Valletta tashmë ka përfunduar bashkëpunimin me rekordmenët e futbollit ishullor.

“Shkodra Sport” mëson se 22-vjeçari tashmë është i lirë dhe do ishte një futbollist shumë interesant për përforcimin e ekipit kuqeblu. Në sezonin që sapo u mbyll Sala ishte ndër më të spikaturit tek Valletta, ku në pozicionin e mesfushorit para mbrojtjes apo edhe atë të mbrojtësit të krahut të djathtë shënoi 6 gola dhe dhuroi 4 asiste për shokët e tij të skuadrës.

Megjithatë për futbollistin e formuar tek Akademia Ajaks në Shkodër ka interes dhe nga klubet në Kroaci dhe Slloveni. Dhe nëse duan që tek Vllaznia ta kenë të tyrin, drejtuesit duhet të nxitojnë sa më shpejt. Për momentin Sala ndodhet në Shkodër dhe së ardhmes nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë, ku ai është sa afër, po edhe larg kuqebluve për momentin.
Endri ÇINARI