Guardiola ka një ndikim të madh kudo që shkon: e ka bërë te Barcelona dhe Bayern, po e bën edhe te Manchester City. Kanë kaluar dy vite nga ndarja me bavarezët, por sot ka nga ata që ia faturojnë atij gjendjen aktuale të futbollit gjerman.

Sipas Hans Peter Briegel, ish-ylli i kombëtares gjermane dhe ish-trajneri i Shqipërisë nga 2002-shi në 2006-ën, kriza që po kalon skuadra e Low ka ardhur pikërisht për faj të Guardiola-s: “Është faji i tij, na bëri të mendojmë se për të fituar mjaftonte të kishim 75% të zotërimit të topit, por nuk është kështu”, ka thënë Briegel në një intervistë të dhënë për “La Repubblica”.

“Në futboll rezultati është shumë më i rëndësishëm se kontrolli i lojës. Të kesh kontrollin e topit nuk mjafton për të fituar, kjo është konfirmuar edhe nga Franca kampione e botës”.

Briegel ka vazhduar duke i dhënë Gjermanisë recetën e duhur për të dalë nga kriza: “Mund të fitohet edhe duke bërë një futboll më tradicional. Gjëja më e rëndësishme nuk është loja e bukur, por të kesh ekuilibër në fushën e lojës. Gjithsesi, mendoj se është një krizë kalimtare, i ka ndodhur shumë kombëtareve të tjera”.

As Low nuk i ka shpëtuar kritikave të Briegel: “Pas fitores së Kupës së Konfederatave nuk ka patur guximin të ndryshojë. Duhej të kishte lënë në shtëpi 4-5 lojtarë të Botërorit 2015, që nuk ishin në formë, dhe t’i kishte dhënë më shumë besim të rinjve që fituan Kupën e Konfederatave”, ka përfunduar ish-mbrojtësi.