Sunday, June 7, 2026
FAQJA E PARE KRYESORETensione në Francë përpara Kupës së Botës: Mbappe në konflikt të ri...

Tensione në Francë përpara Kupës së Botës: Mbappe në konflikt të ri me federatën

Një përplasje e re mes Federatës Franceze të Futbollit dhe ekipit kombëtar duket se po merr formë lidhur me përdorimin e imazhit të lojtarëve për qëllime komerciale.

Pakënaqësia në ekip është shkaktuar nga një reklamë e një kompanie bastesh ku shfaqen pesë futbollistë, përfshirë kapitenin Kylian Mbappe. Kjo pasi reklama mund të jetë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur mes lojtarëve dhe federatës në vitin 2023, shkruan L’Équipe.

Reklama e kontestuar e kompanisë së basteve

E përditshmja franceze ka zbuluar se kompania e basteve online Betclic publikoi javën e kaluar një reklamë para ndeshjes miqësore kundër Bregut të Fildishtë. Në të shfaqen Kylian Mbappe, Michael Olise, Ousmane Dembele, Désiré Doué dhe Rayan Cherki.

Sipas raportimit, lojtarët nuk ishin të informuar për mënyrën se si do të përdorej materiali i realizuar gjatë fotosesionit. Thuhet se Mbappe dhe Cherki kanë qenë ndër më kritikët ndaj këtij veprimi dhe kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre.

Problemi qëndron në faktin se reklama mund të mos jetë në përputhje me kushtet e marrëveshjes së vitit 2023, të arritur mes avokatëve të lojtarëve dhe Federatës Franceze të Futbollit. Me Kupën e Botës që po afrohet, palët pritet të kërkojnë një zgjidhje pas përfundimit të turneut.

Kundërshtimi i kahershëm i Mbappes

Ky nuk është konflikti i parë i Mbappes me federatën për çështjet e sponsorizimit. Kapiteni francez ka shprehur edhe më herët kundërshtimin e tij ndaj lidhjes së imazhit të lojtarëve me kompani të caktuara.

“Ne nuk pajtoheshim për disa gjëra, si markat që lidhen me ushqimin e pashëndetshëm dhe lojërat e fatit. Shumë prej nesh vijnë nga lagje ku gjëra të tilla kanë shkatërruar shumë njerëz. Unë vetë njoh persona që kanë vuajtur për shkak të tyre”, kishte deklaruar ai për Canal Plus.

Edhe avokatja e tij, Delphine Verheyden, kishte ngritur shqetësime të ngjashme.

“Ekziston një rrezik i madh për dëmtimin e imazhit të futbollistëve. Reputacioni i tyre lidhet me vlera të caktuara dhe këto vlera transmetohen edhe përmes reklamave që ata pranojnë të promovojnë”, kishte thënë ajo.

Çështje ende të hapura para udhëtimit në SHBA

Federata ka respektuar një pjesë të marrëveshjes, e cila parashikon që në reklama të tilla të paraqiten të paktën pesë lojtarë.

Megjithatë, marrëveshja parasheh gjithashtu që kapitenët e ekipit dhe presidenti i federatës të takohen të paktën dy herë gjatë sezonit për të vlerësuar nëse sponsorët janë në përputhje me vlerat dhe imazhin që lojtarët dëshirojnë të transmetojnë.

Përveç kësaj, përfaqësuesja franceze ende nuk ka zgjidhur çështjen e bonuseve për Kupën e Botës, si dhe numrin e biletave të destinuara për familjarët e lojtarëve, të cilin futbollistët e konsiderojnë të pamjaftueshëm. Këto mbeten dy tema të ndjeshme që pritet të diskutohen dhe të zgjidhen para nisjes së ekipit drejt Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments