Lajmet e merkatos patjetër që janë krye tema e gjithë klubeve të futbollit në këto momente. Përjashtim nuk bën as Vllaznia që po punon për përforcimin e skuadrës. Kuqeblutë kanë bërë disa afrime deri më tani, ku duket se do ketë edhe të tjerë. Një ndër emrat që po qarkullon së fundmi është ai i Herald Markut.

Mesfushori mbylli sezonin që lamë pas në rradhët e Partizanit. Por po përflitet për një rikthim të tijin në Shkodër. Mëngjërashi duket se është i gatshëm për këtë lëvizje.

Por kontrata që ka me kryeqytetasit duket se për momentin po e mban “peng”. Drejtuesit e kuq nuk duan ta lëshojnë falas 25-vjeçarin, që ka spikatur në sezonet e fundit në kampionat.

Marku ishte për dy sezone pjesë e Vllaznisë, për të kaluar tek Partizani në edicionin 2021-22. Tashmë zërat thonë që mund të ketë një rikthim të tijin në Shkodër dhe në merkato gjithçka është e mundur deri në përfundimin e saj.

Endri ÇINARI