Do të jetë një menaxher shqiptar ai i cili do të finalizojë transferimin e Mauricio Sarrit nga Çelsi te Juventusi në javët e ardhshme. Sipas “Sky Sport”, menaxheri i njohur me origjinë shqiptare, Fali Ramadani, do të jetë ai i cili do të negociojë marrëveshjen mes dy klubeve për të bërë të mundur kthimin e italianit në vendlindje.
Një vit më parë, Ramadani ishte ndërmjetësi për afrimin e teknikut të Napolit te Çelsi, duke i hapur rrugë eksperiencës së tij në Angli. Ai është kthyer në një nga emrat e besuar të klubit të drejtuar nga Roman Abramoviç.
Me siguri do të dijë të sqarojë këtë situatë të ndërlikuar pasi trajnerin të cilin deri pak muaj më parë londinezët e shihnin si të larguar, tani është kthyer në një emër të vlerësuar në arenën ndërkombëtare.
Ramadani duhet të negociojë ndërprerjen e marrëveshjes pasi Sarri ka edhe dy vite të tjera kontratë e sigurisht do të kërkohet që ai të paguajë një penalitet.
Sot ose nesër ai do të takohet me drejtuesit londinezë për të mbyllur gjithçka, mundësisht para finales së Ligës së Kampioneve, duke pasur frikë një sulm të minutave të fundit të Juventusit për Poçetinon ose Klop. /vipsport/