Tirana luajti ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Champions League në Luksemburg ndaj Dudelange, ku u mposht me rezultatin minimal 1-0. Në ekipin luksemburgas pjesë e formacionit ishte edhe sulmuesi anësor Eliot Gashi. Pasaporta e tij shkruan se ai është nga Luksemburgu, por mbiemri tregon se rrënjët e tij janë shqiptare.
Newsport kontaktoi me lojtarin dhe vetë Gashi tregoi se prindërit i ka me origjinë nga Peja e Kosovës, madje edhe vetë ka lindur atje, por në moshën 1 vjeçare familja e tij është larguar në drejtim të Luksemburgut për një jetë më të mirë. Në Luksemburg ka krijuar jetën dhe karrierën e tij, të cilën e ka nisur në vitin 2013 me ekipin e Fc Progres Niederkorn, për të vazhduar më pas me Lamadelaine, Remich – Bous, UT Petingen, Titus Petange dhe në fund me Dudelange, me të cilin u shpall edhe kampion. Gjithashtu ka luajtur edhe 3 ndeshje me 19 vjeçarët e Luksemburgut.
Të martën e ardhshme do të zbresë në fushën e “Air Albania”, teksa thotë se për të do të jetë hera e parë që vjen në Shqipëri. Fitoren e ndeshjes së parë e cilëson shumë të rëndësishme, por thotë se ekipi i tij do të bëjë gjithçka që të arrijë një rezultat pozitiv edhe në transfertë, teksa vlerëson ekipin e Tiranës dhe tifozët bardheblu.
– Përshëndetje Eliot! Mbiemri yt tregon që je shqiptar, cila është lidhja jote me Shqipërinë?
Përshëndetje! Prindërit e mi janë nga Peja e Kosovës, edhe unë gjithashtu kam lindur atje, por jemi larguar me familjen kur isha 1 vjeç drejt Luksemburgut. Gjatë karrierës time kam luajtur gjithmonë në këtë shtet.
– Keni luajtur edhe 3 ndeshje me Luksemburgun U-19. A mendoni që një ditë mund të përfaqësoni Shqipërinë?
Po, kam luajtur 3 ndehsje me 19 vjeçarët e Luksemburgut. Nga Shqipëria nuk kam marrë ndonjë ftesë, por pse jo të mos përfaqësoj Shqipërinë, ëhstë gjithmonë në mendimet e mia.
– Javën tjetër do të vini në Tiranë…
Do të jetë hera ime e parë që vizitoj Tiranën
– Ndeshjen e parë morët një fitore të rëndësishme. Sa optimist jeni për kualifikimin?
Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Ne do të bëjmë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv edhe në Tiranë, por në futboll çdo gjë është e mundur.
– Mendimi juaj për ekipin e Tiranës?
Kanë nje ekip me lojtarë shumë të mirë, gjithashtu edhe një tifozëri që më ka bërë shumë përshtypje të mirë. /Newsport/