Në Premier Ligë nuk ka marrë fund diskutimi për zhvillimin e ndeshjeve në fushë asnjëanëse, edhe pse në parim janë të gjithë të gatshëm të luajnë sfidat në stadiumet përkatëse.

Polica angleze ka shqetësime sa u përket grumbullimeve të mundshme të tifozëve në zonat rreth stadiumeve e sidomos në qytetin e Liverpulit.

Skuadra e Jurgen Klop po bëhet gati të festojë titullin kampion, nga i cili e ndan vetëm matematika dhe brenda 3 ndeshjeve të ardhshme me siguri do të ketë kaluar edhe pragun e pikëve që mund të arrijë Mançester Siti duke filluar festën.

Por pikërisht festa e të kuqve alarmon forcat e rendit, të cilat nuk duan një vërshim tifozësh në rrugët e qytetit kur Liverpuli të luajë ndeshjet vendimtare për trofeun që pritet prej 2 dekadash.

Një prej këtyre sfidave është derbi i ndezur me Evertonin e pikërisht kjo sfidë, në të cilën mund të vendoset matematikisht titulli kampion, po diskutohet që të luhet në fushë asnjëanëse.

Një vendim që nuk do të mbështetej nga Liverpuli, por që po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi në Angli ku po aplikohen rregulla shumë të rrepta për rikthimin në fushën e lojës. /vipsport/