Amir Abrashi ndalet përsëri për shkak dëmtimi. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare vazhdon të jetë shumë i pafat me dëmtimet, që i kanë penalizuar shpesh karrierën duke e bllokuar shpesh lojtarin në momentin më të mirë.

Kapiteni i skuadrës së Grasshopers, është dëmtuar sot në ndeshjen ndaj Zyrihut në kampionatin zviceran. Në minutën e 25 të ndeshjes, pas një përplasje ai u rrezua në toke dhe u duk qartësisht që kishte probleme me pjesën e sipërme të shpatullës.

Pas kontrollit të mjekëve, u bë e qartë se kishte nevojë për zëvendësim pasi nuk mund të vazhdonte dhe ai u detyrua të linte fushën e lojës. Sipas mediave zvicerane, mendohet se Abrashi ka dëmtuar klavikulën, një dëmtim serioz që mund ta lërë atë disa javë jashtë fushave në varësi të shkallës.

Një lajm i keq edhe për trajnerin e përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, për të cilin Abrashi do të ishte një element shumë i rëndësishëm për miqësoret e muajit nëntor ndaj Italisë dhe Armenisë.