Ndeshje emocionuese dhe surpriza janë prodhuar në ditën e sotme të Superiores. Bylisi ka arritur të fitojë në minutat e fundit ndaj Egnatias në shifrat 1-0.

Ekipi i Duros ka dominuar dhe kishte shumë raste të pastra për të shënuar. Por në minutat e fundit kishte kundërsulme nga të dy krahët.

Bylisi përfitoi dhe arriti të shënonte me Flamur Ruçin në të 92. Ky futbollist ia dedikoi golin vëllait që iu nda nga jeta vetëm pak ditë më parë. Egnatia ishte e pafuqishme për të reaguar dhe nuk mundi të shfrytëzonte rastet e saj që rezultati i këtij takimi të kishte tjetër fat.

Ruçi: “Ishin ditë jo të lehta dhe më janë gjendur të gjithë pranë. Sot më ka ndihmuar vëllai nga lart dhe ky gol është për të. Jam i lumtur për golin dhe për tre pikët e marra, na kishin munguar pasi kishim marrë rezultate jo të mira”.