Ndeshje emocionuese dhe surpriza janë prodhuar në ditën e sotme të Superiores.

Bylisi ka arritur të fitojë në minutat e fundit ndaj Egnatias në shifrat 1-0. Ekipi i Duros ka dominuar dhe kishte shumë raste të pastra për të shënuar. Por në minutat e fundit kishte kundërsulme nga të dy krahët.

Bylisi përfitoi dhe arriti të shënonte me Flamur Ruçin në të 92. Ky futbollist ia dedikoi golin vëllait që iu nda nga jeta vetëm pak ditë më parë.

Egnatia ishte e pafuqishme për të reaguar dhe nuk mundi të shfrytëzonte rastet e saj që rezultati i këtij takimi të kishte tjetër fat.

Bellai: “Flamurit iu nda nga jeta vëllai dhe ditën tjetër erdhi në stërvitje, donte të hiqte stresin. Pastaj u kthye dhe arriti të shënonte gol për ta dedikuar vëllait. Është një shembull në jetë, jo vetëm në futboll. Zëvendësimet që ne kemi bërë ishin të mira. Kemi humbur shumë raste para portës, në katër raste duhej ta gjenim një gol. Kjo fitore na jep oksigjen. Nuk e besoja se sot do të fitonim. Por duke krijuar rastet sot, mendova se Zoti do të na ndihmoj për të shënuar dhe na ndihmoj”.