Federata Ndërkombëtare e Volebollit (FIVB) do të aplikojë së shpejti ndryshime në sistemin e pikëzimit dhe të seteve. Duke parë që kohëzgjatja e ndeshjeve apo edhe e një seti të vetëm është rritur ndjeshëm, ku shon deri në 30 pikë apo më shumë, gjë që shpesh kjo ndikon në uljen e nivelit të lojës dhe të shikueshmërisë, është menduar një rregull interesant, që do të eksperimentohet sezonin tjetër. Numri i pikëve të çdo seti do të ulet nga 25 në 15, por ama do të rritet numri i seteve, nga 5 në 7. Pra, fitues del ekipi që fiton 4-0, 4-1, 4-2 ose 4-3.

Kjo është bërë për dy arsye. Së pari,  të ulet kohëzgjatja e setit, në mënyrë që ai të bëhet më interesant. Së dyti, ekipet kanë më pak mundësi për të rikuperuar dhe loja bëhet më spektakolare dhe e fortë. Kjo do të thotë që çdo pikë do të jetë e rëndësishme, pasi luhet deri në pikën e 15-të (gjithnjë minimum i avantazhit për të fituar një set është dy pikë, 15-13, 16-14, 17-15 e kështu me radhë). Ky eksperiment i ri do të testohet në gusht të këtij viti, në Botërorin U-23. Do të ulet edhe numri i pushimeve në çdo set, nga dy që kërkohej nga çdo ekip, në një.