Që nga e diela, skuadra kombëtare e Gjermanisë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së shtunës ndaj Bjellorusisë dhe për atë ndaj Estonisë në datën 11.

Kapiteni i skuadrës, Manuel Nojer, ka qenë i pranishëm në një konferencë për shtyp ku ka folur për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve. Portieri i Bajernit nuk harroi të fliste edhe për trajnerin Lëv, i cili mungon për arsye shëndetësore. Manuel dhe skuadra e pret 59-vjeçarin të rikthehet sa më shpejt në drejtimin e skuadrës.

Sa të fokusuar jeni në objektivat e radhës, edhe pse sezoni ka përfunduar?

Për mua sezoni nuk ka përfunduar ende. Kjo do të ndodhë pasi të kemi luajtur edhe këtu dy takimet e fundit. Kemi bërë një hap pozitiv në Holandë dhe duam të marrim gjashtë pikë në dy ndeshjet e ardhshme.

Si është gjendja juaj?

Dëmtimet janë gjithmonë të vështira. Mendoj që ia kam dalë ta përballoj mirë sezonin. Në Kupën e Gjermanisë bëra thjesht detyrën dhe tani i jam rikthyer stërvitjes me intensitet. Besimi që më dha Kovaç ishte për t’u admiruar. Mendoj që çelësi i suksesit në futboll është kur i beson dikujt verbërisht, edhe pse po kalon momente të vështira.

Jeni duke kaluar një fazë tranzicioni në kombëtare, si ka qenë ecuria e deritanishme?

Biseduam për mundësitë që kishin lojtarët e U-21 për të luajtur me ne dhe më pas vendosëm të merrnim shtatë prej tyre. Kjo tregon që kemi shumë lojtarë të talentuar nga skuadrat e moshave që mund të luajnë në nivele të larta.

Është bërë një planifikim shumë i mirë për të ardhmen. Qëllimi është të lidhemi si skuadër dhe të vëmë në punë disa mekanizma që do të përdoren në Europianin e ardhshëm. Kur zbresim në fushën e lojës nuk ka rëndësi se çfarë makine kemi dhe sa kushton ora që mbajmë. Duhet të japim 100% tonë për fanellën që përfaqësojmë.

Fakti që Markus Zorg njeh shumë lojtarë nga U-21, është diçka shumë e mirë. Shpresoj që skuadra të ketë një rritje të shpejtë dhe lojtarët e rinj të njihen sa më parë me përgjegjësitë e tyre. Në stërvitje shoh djem shumë të motivuar që komunikojnë vazhdimisht me njëritjetrin.

Si është gjendja e trajnerin Lëv?

Më mirë. Duam të tregojmë që zgjedhjet që ka bërë ai në kombëtaren janë ato të duhurat. Ndaj dhe në stërvitje motivimi ka qenë në maksimum.

Gjendja e portierëve në Gjermani është e mirë, si mendoni?

Momentalisht nuk kemi asnjë problem me portierët në Gjermani. Jam optimist për faktin se portierët me moshë 22-25 janë në rritje. Ndaj nuk bëhem merak.

Vazhdon konkurrenca me Andre ter Shtegen?

Vendimet i merr gjithmonë trajneri. Unë si sportist dua të jem gjithmonë në fushën e lojës. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat gjatë këtij sezoni.

Si e parashikoni ndeshjen në Bjellorusi?

Duhet të jemi të përqendruar dhe ta luajmë ndeshjen me seriozitet. Nuk do të jetë e lehtë të fitojmë këtë ndeshje, por tri pikët janë të nevojshme për të vazhduar me hapin e Holandës. Ka ardhur koha të bëjmë në fushën e lojës ato që praktikojmë gjatë stërvitjes.