Tirana kaloi një sezon të vështirë duke e siguruar mbijetesën vetëm në javën e fundit falë fitores 0-3 ndaj Flamurtarit dhe në këtë mënyrë, siguroi qëndrimin në Superiore edhe për këtë sezon.

Në klubin bardheblu, kanë nisur të mendojnë për merkaton e verës që pritet të jetë aktive dhe të ketë disa afrime të cilat mund të ndihmojnë në arritjen e objektivave.

“VipSport.al” ka mësuar nga burime pranë klubit të Tiranës se goditja e parë në merkato vjen nga kampionati vendas dhe pikërisht nga rivalët e qytetit. Rubin Hebaj ka përfunduar sezonin me Partizanin dhe të kuqtë nuk e kanë përdorur të drejtën për të blerë përfundimisht kartonin e sulmuesit shkodran.

Nga kjo situatë, ka përfituar Tirana dhe është shumë pranë nënshkrimit me shkodranin i cili këtë sezon arriti të vuloste edhe një derbi duke shënuar një dygolësh në fitoren që Partizani arriti pak javë më parë me rezultatin 2-1 ndaj Tiranës. /VipSport/