Tani nuk ka më asnjë dyshim për sa i përket portierit më të mirë në Gjermani. Në fakt, nuk kemi pasur asnjëherë, do të thoshin shumë prej tifozëve gjermanë. Por në javët e fundit debati në distancë mes Uli Hënesit dhe Andre Ter Shtegenit ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik në Gjermani.

Shkak u bë deklarata e portierit të dytë të kombëtares gjermane dhe i Barcelonës, që shprehej se kërkonte me çdo kusht të ishte numri 1 në portën e “pancerave”. Kjo nuk i ka pëlqyer aspak presidentit bavarez, i cili sulmoi ashpër atë dhe Federatën Gjermane të Futbollit.

“Nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë, – tha Hënes që më pas kërcënoi edhe me bojkot. – Asnjë lojtar i Bajernit nuk do ta veshë më fanellën e Gjermanisë nëse Nojer do të zëvendësohej nga Ter Shtegen. Ai nuk do të jetë kurrë numri 1 derisa të jetë Manueli”. Fjalë këto që u tërhoqën mbrapsht nga presidenti bavarez. Një javë pas këtij debati vjen edhe ndeshja ndaj Totenhemit.

NOJER, NJË BOKSIER

Manuel Nojer shkëlqeu në ndeshjen ndaj anglezëve, duke pozuar më pas në dhomat e zhveshjes si një boksier, por pa doreza. Siku ka dashur të thotë se i ka dhënë një grusht të fortë të gjitha fjalëve në drejtim të tij. Në fitoren 7-2 ndaj “Spurs”-ave, kapiteni ishte në formën e tij më të mirë, duke ndalur disa herë Sonin në pjesën e parë dhe më pas Eriksenin në të dytën.

30 minutat e para vendësit ushtruan një presion të madh në drejtim të gjermanëve, por nëse ke në portë një kampion bote si Nojer, gjithçka bëhet më e lehtë. “Duhet të kalonim disa situata të vështira që falë Nojerit u neutralizuan, – tha trajneri Niko Kovaç pas ndeshjes. – Manueli ka pritur në mënyrë të shkëlqyer, ky ishte edhe ndryshimi në ndeshjen e së martës.

Në Champions detajet bëjnë diferencën dhe për ne e bëri pa dyshim Nojer”. Fjalë me vend këto nga kroati, i cili ndryshe nga shumë të tjerë nuk u fokusua te fjalët e mira vetëm për Serge Gnabrin i cili shënoi katër gola në ndeshjen ndaj anglezëve, por edhe për kapitenin e tij.