Mbrëmja e së mërkurës kur Vllaznia në futboll për femra luajti në stadiumin “Kingsmeadow” të Londrës ndaj Çelsit, ishte emocionuese për të gjithë shqiptarët dhe shkodranët, të cilët jetojnë atje prej vitesh.

Rreth 400-tifozë shkodranë dhe shqiptarë krijuan një entuziasëm dhe atmosferë të paparë ndonjëherë në atë stadium nga tifozëria e skuadrave mike, e cila befasoi dhe surprizoi pa fund organizatorët e ndeshjes, klubin e Çelsit, por edhe vetë UEFA.

Padyshim që, një ndër ata që përjetoi emocione pa fund në këtë ndeshje, ishte edhe Selami Pepaj, ish-trajneri i suksesshëm i skuadrës së Vllaznisë në futboll për femra, me të cilën siguroi suksese jo të pakta. Në tre vite drejtim të Pepajt në krye të Vllaznisë së femrave, skuadra kuqeblu fitoi plot pesë trofe.

Prej disa vitesh tashmë, trajneri shkodran është zhvendosur me familjen e tij në Angli, por edhe atje nuk i është ndarë karrierës sportive, teksa pasionin e tij për futbollin e ka vazhduar, duke trajnuar ekipe moshash.

Pepaj kishte mundësinë dhe rastin që ndeshjen e mbrëmjes së të mërkurës të Vllaznisë ndaj Çelsit, ta ndiqte live në Londër, teksa një gjë e tillë e gëzoi dhe e lumturoi pa masë atë. Një emocion të tillë, ai e përshkruan edhe përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale.

“Një mbramje e mrekullueshme, një mbramje e pa arrume për mu, 26 tetor 2022! Ku mas plot 7 viteve, takohem me ekipin e zemres Vllaznia që shkruan historinë në futbollin shqiptar duke marrë pjesë në 16 skuadrat ma t’mira të Europës.

Ekipi Vllaznia, që më dha shumë kur unë e drejtova për 3 vite radhazi. Gjithashtu do isha shumë i lumtur dhe krenar sikur dhe unë të kem vendosur dhe një gur për këtë Vllazni kampione. Urime vajzave të ekipit, Vajzave kampione. Urime stafit të mrekudhushëm të Vllaznisë, Urime familjes së Presidentit kampion Lazër Matija.

Respekte për të gjithë tifozërinë kampione shkodrane për mbeshtetjen që bënë në Shkodër, gjithashtu dhe tifozërisë shkodrane që jeton në Londër dhe qytete të tjera në Angli ku e mbështeten gjatë gjithë 90-të minutave të lojës.

Faleminderit, Vllaznia, suksese në vazhdimësi. Suksese dhe ty, Vllazni e Madhe e meshkujve, shpejt të pafshim dhe ty në Grupet E Champions. Faleminderit, respekte dhe për ju shokë dhe miq të mi të mrekullushem. Faleminderit të gjithëve”-mbylli statusin e tij në “Facebook”, ish-trajneri kampion i Vllaznisë së femrave, Selami Pepaj.
Maringlen ZHIVANI