Vllaznia-Partizani është kryendeshja e javës së 30-të në Superligë. Një takim që tërheq vëmendjen e të gjithëve e përjashtim nuk bën as Ervis Kraja. Ish-mbrojtësi shkodran, që tashmë jeton në Australi, në një intervistë për “Shkodra Sport” flet pikërisht për duelin e nesërm, ku nuk harron të risjellë në kujtesë atë tolerim të Partizanit kundrejt Kamzës para 4 sezonesh që rrëzoi Vllazninë në Kategorinë e Parë. Megjithatë Kraja është optimist se kuqeblutë do e mbyllin sfidën nesër, por edhe sezonin me sukses.


-Kraja, si fillim ju përshëndesim jo vetëm ne si staf i “Shkodra Sport”, por edhe gjithë tifozeria shkodrane.

Ju falenderoj për respektin, ku është gjithmonë kënaqësi të japësh intervista për ju. Gjithashtu edhe tifozerinë shkodrane që gjithmonë do kenë vend special në zemrën time.


-Dhe vjen nesër ndeshja me Partizanin. Çfarë kujtimesh ju sjell në mendjen ky duel?

Ndeshja me Partizanin ka një rëndësi të veçantë, e jo vetëm për objektvat e Vllaznisë momentalisht, por edhe për atë çfarë ndodhi para 4 vitesh. Të gjithë e dinë në Shkodër që Partizani ndikoi direkt në rënien nga kategoria të Vllaznisë, në ato momente ku unë drejtoja ekipin. Nuk e mendoje kurrë që një ekip si Partizani do toleronte ndaj Kamzës për të rrëzuar Vllazninë.


-Çfarë duhet të bëjnë futbollistët e Vllaznisë që ta kalojnë këtë “ngërç” e ta mbyllin sezonin me sukses?

Futbollistët duhet të bëjnë kujdes që nga kjo ndeshje me Partizanin që vetëm të marrin maksimumin nga këto takime që kanë ngelur. Thjesht iu sugjeroj të luajnë me zemër dhe të japin 100% sepse cilësitë i kanë.


-Ke ndonjë kritikë?

Me sa kam lexuar dhe marrë informacion presidenca ka ndërtuar një ekip për kampion. Por për shumë arsye nuk është aty ku duhet. Them se kanë ndikuar edhe arbitrat, që kanë qenë skandaloz kundër Vllaznisë. Ndonjëherë them mirë që jam larg sepse do isha i pari tifoz që do i “sulmoja” arbitrat sepse realisht janë tallur me djersën e futbollistëve.


-Mund të cilësohet sezon i suksesshëm nëse mbyllet vetëm me kualifikimin në Europë, pa trofe?

E di mirë si mund të ndihen futbollistët në këto momente. Thjesht ti luajnë fort këto ndeshje dhe të kapin objektivin minimal. Nuk mund ta cilësoj sezon të dështuar për shumë arsye. Mendoj se do e mbyllin me trofe.


-Në fund një parashikim për nesër?

Them se Vllaznia fiton 2-0 kundër Partizanit dhe kam besimin se do shënojnë lojtarët shkodranë.
Endri ÇINARI