Bernard Berisha është një nga lojtarët që ka luajtur më shumë dhe ka shënuar rregullisht te kombëtarja e Kosovës, por trajneri Shaland vendosi të mos e grumbullojë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Maqedonisë së Veriut, që të çon në betejën e fundit Play-Off për të shkuar në Kapionatin Europian.

Shkaku me shumë mundësi është gjesti i bërë nga ish-sulmuesi i Skënderbeut pas golit të shënuar ndaj Greqisë. Ai tregoi edhe pas ndeshjes se gjesti është bërë për shkak se Shaland nuk e ka aktivizuar kurrë në ndeshje zyrtare dhe gjithë mllefin vendosi ta nxjerrë pas atij goli spektakolar.

Tashmë 28-vjeçari ka folur në lidhje me lënien jashtë nga trajneri. Megjithëse ndihet i mërzitur, e pranon vendimin dhe bën thirrje të mbështetet kombëtarja. “Duke marrë parasysh se këto ditë është folur shumë për çështjen time, pata dëshirë të jap mendimin tim për këtë çështje dhe të sqarohem për gjithçka. Unë dhe familja ime jemi mërzitur shumë për mosftesën.

Dua të them se e pranoj vendimin e trajnerit, marrë parasysh se kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Ndeshja me Maqedoninë e Veriut është historke, prandaj ju bëj thirrje që ta mbështesim Kosovën dhe vetëm të bashkuar mendoj se do t’ia dalim. Të jemi të bashkuar të gjithë dhe vetëm kështu do t’ia dalim”, u shpreh Berisha në llogarinë e tij në rrjetet sociale. /vipsport/