Vesel Limaj heq një peshë të madhe. Nga Europa deri tani, fati nuk ka qenë për mesfushorin e Tiranës. Kartoni i kuq, por edhe dëmtimet nuk e kanë lënë të qetë djaloshin, i cili është aktivizuar shumë pak. Në sfidën me Kukësin, Limaj shënoi gol si “ish”. Në intervistën pas ndeshjes për “Panorama Sport”, mesfushori i treshes së titullit së bashku me Totren e Tolin, tha se pranon vendimet e trajnerit, ndërsa nuk ka asgjë me Kukësin.
Vesel një gol i rëndë për skuadrën, por për ju që nuk po luani rregullisht për shkak të dëmtimeve?
Kam qenë i lënduar një javë. Nuk jam stërvitur me ekipin, kështu që jam shumë i lumtur që fituam sot dhe e ndihmova skuadrën të thellonte rezultatin me një gol.
Keni shënuar ndaj ish-skuadrës suaj të para dy viteve. Diçka për të thënë apo thjesht gol?
Ishte goli im i parë ndaj Kukësit. Për mua normalisht është njëlloj si të shënosh ndaj Kukësit dhe ndaj çdo skuadre tjetër. Goli është ndjenjë e bukur. Këtë vit nuk kisha shënuar. Nuk është ndonjë përgjigje apo polemikë, por thjesht gol.
Vjet deri në këtë fazë kishit shënuar goxha gola, këtë vit pak më e vështirë?
Kam qenë i lënduar në fillim të sezonit. Nuk më ka ecur, por gjithsesi nuk është se nuk kam qenë në formë. Besoj se tani e tutje do të bëhet më mirë. Në skuadër dhe mesfushë ka konkurrencë, por unë nuk i frikësohem. Jemi aktualisht shumë pranë kreut, në vendin e dytë. Ekipi po ecën mirë. Edhe unë. Luajtja apo mosluajtja është vendimi i trajnerit dhe duhet ta respektoj deri në fund.
Nga treshja e mesfushës së titullit keni mbetur vetëm ju në skuadër…
Po, por edhe djemtë që kanë ardhur janë me shumë kualitet. Me secilin ndihem mirë dhe nuk kam me asnjë problem.
Tani për punën e titullit, kjo skuadër mund ta përsërisë sezonin e shkuar?
Jemi në rrugën e duhur. Është herët për të folur për titullin. T’i marrim takimet një për një dhe të shohim.