Erzeni vazhdon me largimet e lojtarëve nga ekipi. Klubi shijakas ka njoftuar ditën e sotme një tjetër “dalje”. Bëhet fjalë për mesfushorin, Agustin Rojas.

Argjentinasi nuk do të jetë më pjesë e Erzenit, teksa lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi me anë të një postimi në faqen zyrtare.

“KF Erzeni njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Agustin Rojas. Falenderojmë Rojan për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe me fanellën e ekipit”, shkruan klubi shijakas.

Kujtojmë që Rojas u transferua në Superiore në gushtin e 2023-shit por aventura e tij në Shqipëri nuk ka shkuar ashtu siç pritej. Në 8 ndeshje të luajtura në këtë sezon me kampionatit dhe Kupës, fantazisti ka gjetur një herë rrugën e rrjetës, teksa ka dhënë edhe dy asistime.