Vazhdon momenti magjik për Berat Gjimshitin, i cili po bëhet gjithnjë e më shumë protagonist me fanellën e Atalantës. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ishte si zakonisht në fushë në takimin e djeshëm të bergamaskëve ndaj Juventusit dhe ishte një ndër protagonistët kryesorë në lojën mbrojtëse në suksesin 1-0.

Gjimshiti kishte për detyrë te mbulonte Dibala dhe e bëri këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos e lejuar asnjëherë argjentinasin të dilte në lojën e tij dhe të krijonte shumë telashe para portës së Atalantës.

Ndaj nuk është rastësi që për portalin “Tuttomercatoweb”, ai është një nga lojtarët më të mirë jo vetëm të këtij takimi, por të të gjithë javës, pasi e ka përzgjedhur atë në formacionin ideal të ndeshjeve të luajtura në këtë fundjavë në Serinë A.

“Nuk lejon praktikisht asgjë. Arrin t’i paraprijë shpesh lojës së kundërshtarëve dhe në situatat më të vështira vendos trupin para topit. Romero i skualifikuar? Asnjë problem, e zëvendëson më së miri”, shkruhej në portalin italian. /vipsport/