Me ikjen e Eneo Bitrit në muajin janar, Partizanit iu desh të ribënte mbrojtjen dhe të shpërndante përgjegjësitë në këtë repart. Edhe me beratasin në skuadër, Eljon Sota kishte luajtur titullar dhe kishte bërë shumë mirë, por pas janarit fierakut iu desh të merrte akoma më shumë përgjegjësi në mbrojtje dhe të shndërrohej në një lider të këtij reparti.

Defensiva e kuqe nuk shkëlqeu, por nëse e vlerësojmë individualisht, 25 vjeçari ka bërë një nga sezonet më të mira në karrierën e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi shprehet i lumtur që është kthyer në titullar fiks, teksa premton se skuadra do të bëjë mirë në ndeshjet në kompeticionet europiane.

Nga një sezon i vjetshëm në stol, titullar dhe kampion në këtë aktualin. Sa i lumtur jeni për këtë sukses?
Padyshim, jam shumë-shumë i lumtur, pasi në këtë sezon arrita që të luaj akoma më shumë ndeshje si titullar dhe për më tepër arrita edhe të fitoj titullin kampion, që është gjëja më e rëndësishme për një futbollist të rritur dhe formuar këtu në Shqipëri.

Ju shijon më shumë fakti që e fituat në fund apo do të donit të ishit shkëputur më parë?
Secila ka pjesën e saj të bukur, por pas gjithë këtij sezoni të gjatë e rëndësishme është që fituam. Janë frytet e punës për një vit kaq të lodhshëm të nisur që muaji gusht në ndeshjet e para.

Sa i kënaqur jeni me gjithë atë që keni bërë në këtë sezon dhe çfarë prisni nga sfidat e Champions fillimisht?
Përgjithësisht kemi bërë një sezon pozitiv, jam i kënaqur për atë që kemi bërë të gjithë si skuadër. Në Champions League jemi optimistë se do të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, me shpresën që të ecim sa më shumë ture që të jetë e mundur.

A kishte një moment, në të cilin e patë titullin të pakapshëm?
Nuk kishte ndonjë moment që u dorëzuam, por thjesht në disa momente u vështirësua shumë, sidomos kur Tirana shkoi disa pikë para, por asnjëherë nuk humbi besimi dhe shpresa, sepse e dinim se kishim edhe ndeshje direkte me ta dhe asgjë nuk kishte mbaruar. Besuam deri në fund dhe ia dolëm.