Basketbollistët e Vllaznisë kanë zhvilluar, ashtu siç kishim lajmëruar, një miqësore me ekipin e Ulqinit që merr pjesë në kampionatin malazez të basketbollit duke qenë një nga ekipet pretendente të tij. Rezultati përfundimtar i këtij takimi të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ka qenë 73-68 për ulqinakët. Ata kanë udhëhequr gjatë gjithë ndeshjes ndonëse me diferencë të vogël pikësh teksa rezultatet e katër periodave kanë qenë këto: 17-22, 13-17, 18-19 dhe 20-17. Trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj e ka nisur ndeshjen me këtë pesëshe: Damjan Bekteshi, Fatjon Halluni, Robert Shestani, Fatjon Taraboshi dhe Maris Huti ndërsa që gjatë takimit ka aktivizuar edhe Gjon Ndojën, Ervin Berdicën, Adrian Nexhimin, Jozef Rrahishtën, Silver Xhexhajn dhe Griseld Grizhën. Pikëshënuesi më i mirë për shkodranët në këtë miqësore ka qenë Taraboshi që shënoi 17 pikë ndërsa pas tij vjen Berdica me 12. Kjo miqësore ende nuk dihet nëse do jetë e fundit apo do ketë edhe ndonjë tjetër në prag të nisjes së kampionatit të ri që është vendosur të nisë më 27 tetor.
www.shkodrasport.com