Dy emra të njohur të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, pikërisht Oltion Luli dhe Arben Mlloja, janë rizgjedhur sot si anëtarë të kryesisë së Federatës Shqiptare të Atletikës. Asambleja Zgjedhore e kësaj Federate ka zhvilluar punimet sot në Tiranë dhe në të kanë marrë pjesë pjestarët e të gjithë klubeve dhe shoqatave të atletikës. Në fund të punimeve, siç është e zakonshme, janë bërë edhe zgjedhjet për anëtar kryesie të kësaj Federate por edhe për postin e presidentit. Pas votimeve të bëra, Gjergj Ruli është rizgjedhur si president i atletikës shqiptare ndërsa në gjashtë vendet e tjera të kryesisë, sipas rezultatit të votimit, kanë fituar edhe dy shkodranët Luli e Mlloja. Ndërkohë përfaqësuesi i klubit Vllaznia dhe i propozuar prej tij për anëtar kryesie- Gëzim Mema, mësohet se nuk e ka plotësuar numrin e duhur të votave për të qenë anëtar i kryesisë së re. Interesant është fakti se edhe dy shkodranët që kanë fituar, si Oltion Luli ashtu edhe Arben Mlloja, nuk janë propozuar nga klubi Vllaznia. I pari është propozuar nga Studenti ndërsa i dyti nga ekipi i Rrëshenit! Paksa e habitshme kjo gjë megjithatë klubi Vllaznia kishte menduar më mirë të përfaqësohej me shefin e saj aktual (i cili nuk fitoi) sesa me këta dy figura të shquara, kampionë dhe rekordmenë në vite. E rëndësishme është që në kryesinë e re të atletikës, Shkodra do ketë dy përfaqësues të denjë të cilët do dinë të ngrenë zërin dhe të mbrojnë të drejtat e sportistëve shkodranë, paçka se vetë klubi nuk i respektoi aq sa duhet.
www.shkodrasport.com