Nga Endri ÇINARI
Merkato e verës që lamë pas solli shumë ndryshime tek Vllaznia. Shumë prej futbollistëve që kishin mbajtur peshën në sezonet e shkuara u larguan, për tu afruar mbi 10 futbollistë të tjerë. Një prej atyre që la Vllazninë ishte edhe Kaina Nunes. Sulmuesi që u aktivizua për dy sezone në Shkodër ndau rrugët me skuadrën.
Por braziliani nuk ndërroi shtet apo kampionat, ku pas eksperiencës me Besën në Kategorinë e Parë dhe Vllazninë e Kastriotin në Superiore, tashmë është pjesë e Tiranës. Bardheblutë besuan tek cilësitë e 26-vjeçarit duke e afruar në gjirin e tyre dhe sulmuesi ka qenë vendimtar disa herë për kryeqytetasit këtë sezon në Superiore.
Jo më larg se ndeshja e fundit e fituar ndaj Kukësit në shifrat 3-2, ishte Kaina ai që realizoi golin e fitores. Duke u ngjitur kështu në kuotën e 4 golave në kampionat dhe duke qenë në këtë renditje vetëm pas Hasanit me 8 gola për skuadrën e Tiranës. E për ta krahasuar me futbollistët e Vllaznisë i vetmi që ka shënuar më shumë se Kaina këtë sezon është Balaj.
Sulmuesi shkodran ka tundur 8 herë rrjetën në këtë sezon në Superiore. Për t’u rikthyer tek Kaina, ai tashmë duket një titullar fiks i sulmit të Tiranës.
Ku pas një nisjeje nga stoli të sezonit, braziliani ka fituar me meritë formacionin madje duke lënë në pankinë në shpesh ndeshje edhe një emër si Abazaj. Ndoshta në Shkodër nuk u preferua, por Kaina ka qenë disa herë vendimtar për Tiranën në këtë sezon me golat e tij.