Vllaznia do të luajë sot kundër Universitatea Craiova, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Interesi për këtë takim duket mjaft i madh, pasi deri tani janë shitur afro 10 mijë bileta.

Burime të besueshme pranë klubit shkodran bëjnë me dije që nuk përjashtohet mundësia që stadiumi “Loro Boriçi” të jetë sonte “sold-out”. Shumë tifozë, e lënë blerjen e biletës në minutat e fundit. Nëse vijohet me të tilla ritme, vështirë se do të ketë në dispozicion deri në orën 21:00.

E ndërsa klubi po punon intensivisht që çdo gjë të shkojë mirë nga ana organizative, në stafin teknik kanë ndarë mendjen për formacionin titullar. Të njëjtat burime tregojnë për Newsport.al, që ndryshe nga sa ishte përfolur, në fushë do të zbresë Ardit Hoxhaj dhe jo Arsid Kruja.

Kësisoj, 11-shja që do të hedhë kundër rumunëve, trajneri Mirel Josa është: Zogoviç në portë. Para tij do të rreshtohet katërshja, Hakaj në të majtë, Bulatoviç dhe Juriç në qendër, ndërsa në të djathtë Gurishta. Fjoart Jonuzi, Boshnjaku dhe Heriç në mesfushë, kurse në sulm Çoba, Hoxhaj dhe në krye Ante Aralica.

FORMACIONI:
Zogoviç; Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj; Jonuzi, Boshnjaku, Heriç; Hoxhaj, Aralica, Çoba