Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares së Shqipërisë, Ilir Kepa, prej disa ditësh është rikthyer në Shkodër me pushime dhe natyrshëm pjesën më të madhe të kohës së lirë, po e kalon me miqtë e tij.

Gjatë kësaj kohe, ish-sulmuesi shkodran është ndalur për të dhënë edhe një intervistë për “RTSH Shkodra”, teksa u përqëndrua natyrshëm tek Vllaznia dhe konkretisht tek pragndeshja e Conference League me Universitatean e Kraiovës.

Kepa u shpreh se Kraiova nuk është një ekip i pathyeshëm, ndërsa theksoi se kualifikimi për në turin tjetër është më se i mundur.

“Të them të drejtën, tani që Mirel Josa e ka marrë në drejtim Vllazninë, unë e pres me padurim dhe kënaqësi dhe me shumë dashuri që ta kalojë këtë tur, sepse nuk mendoj që Universitatea është një ekip i pathyeshëm.

Nuk jam i sigurtë a janë të njëjtit nivel futbollistët që i kanë zëvëndësuar ato katër-pesë futbollistë që janë larguar. Kjo mbetet për t’u parë ditën e ndeshjes.

Megjithatë, ajo që unë di të them është se Josa ishte shumë pozitiv nga teknike dhe taktike. Këtë e pashë qartazi gjatë bisedës së përzemërt që unë pata mundësi të bëj me të në tavolinë, teksa po pinim kafen e mëngjesit në pedonalen e Shkodrës.

Për fat të keq, nuk do të jem në stadium, sepse për arsye familjare më duhet të fluturoj nesër për në Bruksel, por padyshim që do t’i ndjek nga TV dhe me shumë kënaqësi, do ta uroj shokun tim të dikurshëm të ekipit kombëtar, Mirel Josën, në qoftë se kualifikohen në turin tjetër dhe për këtë besoj, se do të bëhet e mundur”,-mbylli prononcimin e tij, ish-sulmuesi i Vllaznisë, Ilir Kepa.
Maringlen ZHIVANI