Klubi i Vllaznisë ka ndërmarrë një nismë të veçantë për ndeshjen e Conference League ndaj Universitateas së Kraiovës. Ashtu siç është bërë vazhdimisht edhe në ndeshjet gjatë kampionatit, kuqeblutë kanë vendosur që sot të kenë disa të ftuar të veçantë në impiant, në një pjesë tribune që do t’u kushtohet pothuajse plotësisht atyre.

Kështu, bëhet fjalë për ikonat e klubit kuqeblu në vite. Megjithatë, përveç kësaj një pjesë e biletave në tribunën VIP, kanë shkuar edhe për drejtuesit e të gjithë institucioneve në Shkodër dhe të ftuar të tjerë.

Atyre u është dhuruar një biletë për ndeshjen e sotme dhe do të jenë të ftuar nderi në këtë sfidë, ku pritet që të marrin përshëndetjen edhe nga tifozëria, e cila ka qenë gjithmonë e shumtë në ndeshjet e klubit.

Një mendim i veçantë dhe padyshim edhe një falënderim i vogël për figurat e sportit, të cilët kanë ndihmuar që klubi kuqeblu të jetë ndër më të suksesshmit në historinë e futbollit shqiptar.
Maringlen ZHIVANI