Vllaznia do presë nesër në “Loro Boriçi” skuadrën e Skënderbeut në kuadër të javës së 31-të të kampionatit. Sfidë që mund të përcaktojë shumë në garën për Europë të shkodranëve dhe në mbijetesën e korçarëve.

Të dy skuadrat njihen për frymën pozitive që ka ekzistuar mes tyre në futbollin shqiptar. Por pavarësisht se Shkodra dhe Korça janë dy qytete që kanë prodhuar në shumë fusha në vendin tonë, gjejmë shumë pak futbollistë ndër vite nga Korça që mund të kenë mbajtur veshur fanellën e Vllaznisë.

I pari që ka luajtur me Vllazninë është Jani Kaçi. Ish-portieri i njohur korçar, pjesë edhe e kombëtares shqiptare apo edhe Partizanit ishte pjesë e Vllaznisë në vitin 1978. Më saktë vetëm në ndeshjet europiane, ku kuqeblutë do zhvillonin përballje historike me Austrinë e Vjenës.

Më i njohuri padyshim që është Gjergji Kushe. Ish-gardiani i viteve 80-të tek Vllaznia, ishte pjesë e një brezi të paharrueshëm futbollistësh në Shkodër. Brez që fituan edhe titullin kampion në sezonin 1982-83, duke zhvilluar ndoshta futbollin më spektakolar në historinë e kampionateve shqiptare.

Do kalonin vite, madje dekada që një tjetër futbollist me origjinë nga Korça të vishte fanellën e Vllaznisë. Ai do ishte Paulin Dhëmbi. Në sezonin 2008-09, mesfushori energjik do dilte nënkampion i vendit me skuadrën kuqeblu. Tefik Osmani, një nga emrat e njohur të kampionatit tonë do ishte pjesë e Vllaznisë në edicionin 2012-13.

Shtatlarti korçar do qëndronte vetëm 1 sezon në Shkodër, për tu larguar më pas në drejtim të Durrësit tek Teuta. Pra janë të pakët emrat nga Korça që kanë përfaqësuar Vllazninë ndër vite, ndoshta ka edhe ndonjë tjetër, por këta janë ata që kanë mbetur në memorin e tifozëve shkodranë.

Endri ÇINARI