Në ndeshjet e fundit, skuadra e Vllaznisë nuk po dhuron asgjë në lojën e saj. Një gjë e tillë u ka rënë në sy edhe shumë specialistëve të futbollit shqiptar, të cilët nuk hezitojnë ta shprehin këtë gjë edhe në deklaratat e tyre.

Njëri prej tyre është Gerd Haxhiu, i cili është i shqetësuar nga paraqitja e Vllaznisë, që ka parë ai në ndeshjet e fundit të kampionatit. Ish-futbollisti dhe tashmë trajner futbolli, ka deklaruar se me sa është parë nga skuadra shkodrane, te Vllaznia duket se që pas largimit të Brdariç shumë gjëra kanë ndryshuar për keq.

Haxhiu u shpreh se Vllaznia del me forca të pakëta në sulm, ndërsa theksoi se nuk ka më atë befasinë që kishte më parë.

“Vllazninë e kam komplimentuar dhe kam thënë që kur ishte Brdariç që në shumë ndeshje, ka qenë portieri kundërshtar lojtari i ndeshjes, kur ka luajtur kundër Vllaznisë dhe kam thënë që kjo Vllazni herët apo vonë do të vijnë rezultatet, sepse do shënohet. Janë disa ndeshje që pas largimit të Brdariç, realisht skuadra ka humbur gjeometrinë.

Shkon me pak forca në sulm. Nuk ka më befasi. Nuk ka më armën më të fortë, që kanë pasur pjesën ofensive.

Nuk po e bëjnë më një gjë të tillë dhe nuk po fitojnë. Megjithatë, mua më shqetëson fakti që nuk po prodhojnë më lojë.

Nuk janë më aq të bukur sa kanë qenë më përpara. Nuk e di se çfarë po ndodh te ajo skuadër. Ka një ngërç aty, që i mbetet trajnerit Plori për ta zgjidhur”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri Gerd Haxhiu.

Maringlen ZHIVANI