Nga Brazili në Irak dhe deri në Bre gun e Fildishtë. Në dhjetë ekipet e Kategorisë Superiore të këtij sezoni ka plot 63 lojtarë të huaj. “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim së fundmi, duke iu referuar federimeve zyrtare që kanë bërë klubet pas mbylljes së merkatos së janarit.

Në elitën e futbollit shqiptar ka aktualisht lojtarë nga 21 shtete të ndryshme, qoftë nga kontinenti europian, afrikan, aziatik dhe nga Amerika Latine. Rezulton se rekordin e mbajnë futbollistët e ardhur nga Brazili, të cilët janë 13 të tillë. Më shumë ka Egnatia, pikërisht tre, ndërsa Partizani dhe Skënderbeu nga dy, për të vijuar me nga një brazilian te Tirana, Kukësi, Teuta, Dinamo dhe Kastrioti.

Vendin e dytë për të huajt e mban Maqedonia e Veriut me 10, ndërsa më pas janë malazezët me gjashtë lojtarë. Nga vendi i vogël fqinj ka pasur një surprizë të këndshme këtë sezon, pasi emra si Marko Roganoviç dhe Dejan Zarubica te Laçi apo Bojan Zogoviç te Vllaznia dhe Aleksandar Sofranak te Dinamoja kanë qenë protagonistë absolutë në ekipet e tyre.

Ky sezon solli në kampionatin shqiptar edhe një lojtar nga Iraku, diçka unike për vetë faktin se vjen nga një vend që njihet pak për futbollin dhe shumë për problemet që ka.

Kastrioti afroi pikërisht sulmuesin irakian, Jusuf Zetuna, në merkaton e janarit. Ndërkohë, nuk mund të mungonte edhe një grek, që e afroi Skënderbeu në janar, në një kohë që Vllaznia federoi një francez.

Kukësi ka një moldav që prej startit të sezonit, ashtu si Tirana ka anglezin Ngo. E rrallë mund të quhet ardhja te Kukësi në fillim të kampionatit e mesfushorit spanjoll, Pablo de Lukas, edhe pse nuk është i pari lojtar nga vendi iberik që luan për një klub të Kategorisë Superiore.

SA SHUMË… AFRIKË

Nëse ardhja e lojtarëve nga Mali i Zi dhe Serbia nuk bën përshtypje, ka edhe raste kur skuadrat tona kanë afruar futbollistë nga shtete që kanë pak lidhje me futbollin.

Kjo nuk mund të thuhet për Nigerinë, Ganën dhe Senegalin, që kanë respektivisht nga 5, 4 dhe 3 futbollistë në Shqipëri. Megjithatë, së fundmi transferimet e janarit konfirmuan se është shtuar harta e vendeve afrikane.

Aktualisht në Superiore ka dy lojtarë nga Kongoja dhe Mali, si dhe nga një futbollist nga Mozambiku, Bregu i Fildishtë, Guinea dhe Liberia.