Nazmi Gripshi është xhevahiri i radhës që po ritet në kampin korçar. Paraqitjet e mira në ndeshjet e fundit kanë bërë që sulmuesi durrsak i Skënderbeut të jetë në qendër të merkatos duke pasur interesimin e disa ekipeve për të marrë shërbimet e tij. 

Prej kohësh korçarët e kishin cilësuar si një prej futbollistëve nga i cili mund të fitonin të ardhura me transferimin në merkato dhe duket se kështu po ndodh.

Paraqitjet e fundit kanë zgjuar interesin e disa klubeve që po fillojnë të kontaktojnë me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij, por edhe me drejtuesit më të lartë të Skënderbeut.

“Panorama Sport” ka mësuar se një prej klubeve të interesuara janë edhe çekët e Teplicës. Në kuadër të këtij misioni, bisedimet më të avancuara janë me Teplicen, pasi zyrtarë të skuadrës çeke, sikundër bëhet me dije nga burime pranë lojtarit, kanë filluar kontaktet e para me Skënderbeun.

Nga burime të sigurta pranë klubit bëhet me dije se Skënderbeu dhe presidenti Ardjan Takaj është i vendosur që të mos heqë dorë nga durrsaku për më pak se 300 mijë euro. Një shumë kjo normale për sa u përket kërkesave të klubit, duke u nisur dhe nga fakti se korçarët paguan plot 60 mijë euro te Teuta për shërbimet e Gripshit.