Vllaznia duket se nuk do e mbyllë këtë merkato verore pa afrime të tjera. Shkodranët po punojnë për të afruar një mesfushor me tipare sulmuese, pozicion që ende duket se nuk mbulohet nga asnjë prej futbollistëve aktualë. Emri më i përfolur në dy ditët e fundit është ai i Amir Kahrimanoviç.

Mesfushori kroat ishte pjesë e Erzenit në kampionat sezonin e kaluar. Duke zhvilluar paraqitje me të vërtetë surprizuese me shijakasit dhe duke qenë një nga lojtarët kryesorë të ekipit. Bisedimet mes tij dhe klubit kuqeblu janë të konfirmuara tashmë dhe pritet që ai të jetë përforcimi i rradhës i Vllaznisë në këtë merkato.

Por 24-vjeçari nuk është i vetmi ish-futbollist i Erzenit për të cilin janë interesuar shkodranët. Një tjetër emër për mesfushën është edhe ai i Xhelil Asanit. Mesfushori nga Maqedonia e Veriut është një emër që po qarkullon së fundmi që mund të jetë pjesë e kuqebluve. Edhe ai sezonin e shkuar ishte një nga më të spikaturit në rradhët e Erzenit.

Pavarësisht se do ishte një dëmtim në fundin e sezonit që do e linte për disa javë jashtë. Por cilësitë që mbart 27-vjeçari duket se kanë bindur drejtuesit e Vllaznisë për një interesim në drejtim të tij. Tashmë na mbetet vetëm të presim nëse në këto ditë do ketë ndonjë lëvizje dhe zyrtarizim tek Vllaznia.
Endri ÇINARI