17 vjeç, shtatëlartë, i sigurtë në lojën në ajër dhe jo vetëm. Alesio Perloshi konsiderohet një nga lojtarët më me të ardhme te Akademia Vllaznia. Luan në repartin e sulmit dhe spikat menjëherë me lojën e tij.

I datëlindjes 5 mars 2003, Alesio që në moshë të vogël dëshiron t’i ngjajë të atit dhe për rrjedhojë zgjedh të merret me futboll. Luan me ekipet e moshave të Besëlidhjes dhe Shënkollit.

Në janar të këtij viti zgjedh t’i bashkohet Akademisë Vllaznia duke luajtur fillimisht me ekipin U17 nën drejtimin e trajnerit Brikeno Bizi. Ndërkohë tani ka kaluar me ekipin U19.

Trajneri Luan Zmijani e vlerëson maksimalisht këtë lojtar dhe mendon që ai të jetë pikë referimi për skuadrën në repartin e sulmit. Shtatëlartë, Perloshi mund të luajë mirë edhe në mesfushë.

Ai pritet të jetë protagonist edhe në sezonin e ri por edhe më tej. I ka të gjitha të dhënat për t’u bërë një lojtar i mirë, por i duhet të vazhdojë të punojë fort në mënyrë që karriera e tij të shënojë edhe arritje të tjera.

Vetë i ati, ish- futbollisti i Besëlidhjes, por edhe i Vllaznisë, Flamurtarit, Partizanit etj, Leonard Perloshi, pak kohë më parë në një prononcim për “Shkodra Sport” pat shprehur dëshirën që i biri të kishte një karrierë edhe më të suksesshme se ai. Hapat e parë duken pozitivë, tashmë duhet pritur vazhdimësia./SHKODRA-SPORT.COM/